20 topa dhe një shkollë futbolli: si u organizua “2 Korriku”

20 topa dhe një shkollë futbolli: si u organizua “2 Korriku”

Një kërkesë e Bylbyl Sokolit u bë pikënisje për organizimin e shkollës së futbollit të “2 Korrikut”. Shaban Baholli rrëfen pse duheshin 20 topa dhe cilat parime të vendosura atëherë ruhen ende në klub.

Shkolla e futbollit e “2 Korrikut” nisi të organizohej me një kërkesë konkrete të trajnerit Bylbyl Sokoli: sigurimin e 20 topave. Këtë e rrëfeu Shaban Baholli, drejtor i përgjithshëm i klubit, në episodin e fundit të podkastit “Arena e Yjeve”.

Baholli foli për rrugëtimin e tij mbi pesëdekadësh me klubin, prej fillimeve si futbollist në vitin 1971 deri te përgjegjësitë drejtuese që mban sot. Në bisedë, ai tregoi edhe për hapat e parë drejt krijimit të një shkolle futbolli të organizuar.

Kërkesa e Sokolit

Sipas Bahollit, drejtuesit e klubit kërkuan një trajner të aftë që të ndërtonte dhe organizonte shkollën. Për këtë arsye, ata e thirrën Bylbyl Sokolin, i cili vendosi si kusht që klubi të siguronte 20 topa.

“Kur e tha këtë, ne menduam se çfarë do të na duheshin 20 topa, por ia kemi siguruar dhe kështu kemi filluar të punojmë, duke e organizuar punën tamam si shkollë futbolli”, tregoi Baholli.

Ai tha se Sokoli e udhëhoqi organizimin, ndërsa drejtuesit e klubit e përkrahën. Baholli shtoi se disiplina dhe disa prej parimeve të vendosura atëherë vazhdojnë të ruhen edhe sot.

Disiplina si pjesë e formimit

Baholli theksoi se synimi i tyre nuk ishte vetëm zhvillimi sportiv i fëmijëve, por edhe nxitja e disiplinës dhe kulturës. Sipas tij, klubi mund t’i ndihmojë të rinjtë në këtë drejtim përmes punës së përditshme.

Episodi me Shaban Bahollin është pjesë e podkastit “Arena e Yjeve” dhe realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis. Biseda e plotë është publikuar në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.