35 bastisje dhe qindra kontrolle në aksionin ndërkombëtar kundër tregtisë së armëve

Aksioni ndërkombëtar “TRIGGER X” në Maqedoninë e Veriut përfundoi me sekuestrimin e 27 armëve dhe 10 mjeteve mino-eksplozive. Gjatë operacionit u kryen 35 bastisje, u kontrolluan qindra persona e automjete dhe u ndaluan dy persona në pika kufitare.
Një aksion ndërkombëtar kundër tregtisë së paligjshme të armëve dhe kriminalitetit ndërkufitar ka përfunduar me sekuestrimin e 27 armëve, 604 fishekëve dhe 10 mjeteve mino-eksplozive në Maqedoninë e Veriut. Operacioni “TRIGGER X” u organizua nga INTERPOL-i dhe u zhvillua nga 22 qershori deri më 5 korrik 2026.
Në aksion morën pjesë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Doganave. Gjatë operacionit u kryen 35 bastisje, ndërsa autoritetet kontrolluan 548 persona dhe 382 automjete.
Përveç armëve dhe municionit të sekuestruar, për të cilat do të ndërmerren procedura penale, u konfiskuan edhe tri pushkë gjuetie, një pushkë pneumatike dhe 128 fishekë gjuetie. Për këto të fundit do të zhvillohen procedura administrative.
Kontrollet në pikat kufitare “Tabanoc” dhe “Mexhitli” rezultuan me ndalimin e dy personave. Gjatë aktiviteteve paraoperacionale u sekuestruan gjithashtu pistoleta, fishekë dhe tri granata dore.
Ministria e Punëve të Brendshme vlerësoi se operacionet e këtij lloji ndihmojnë në forcimin e bashkëpunimit policor ndërkombëtar. Sipas institucionit, ato synojnë edhe parandalimin e qarkullimit të paligjshëm të armëve, municionit dhe mjeteve eksplozive.