Adapt Academy synon të lidhë më mirë studimin e arkitekturës me praktikën

Adapt Academy u krijua për t’iu përgjigjur kërkesës së studentëve për praktikë dhe sfidave që shfaqen gjatë realizimit të projekteve. Ideal Vejsa thotë se lidhja më e fortë mes arkitekturës dhe punës në terren mund të ndihmojë në përgatitjen e profesionistëve dhe në cilësinë e ndërtimeve.
Kërkesa e madhe e studentëve për praktikë, vështirësitë në zbatimin e projekteve dhe nevoja për bashkëpunim më të ngushtë me industrinë u bënë shtysë për krijimin e Adapt Academy. Ideal Vejsa shpjegon se iniciativa synon t’i përgatisë profesionistët e rinj për kërkesat reale të tregut të punës në arkitekturë.
Sipas Vejsës, një nga arsyet kryesore ishte interesimi i lartë i studentëve për të kryer praktikë në zyrat e tyre. Megjithatë, kapacitetet e kufizuara nuk mundësonin përfshirjen e të gjithë atyre që kërkonin përvojë praktike.
“Një prej faktorëve më të rëndësishëm ka qenë kërkesa shumë e madhe prej studentëve për të bërë praktikë në zyrat tona dhe pamundësia jonë për ta mbuluar gjithë atë kërkesë”, tha ai.
Nga projektimi te realizimi
Vejsa vuri në dukje edhe hendekun mes aftësive të arkitektëve në projektim dhe njohurive që kërkohen gjatë realizimit të punimeve. Ai tha se profesionistët mund të jenë të përgatitur në hartimin e vizatimeve, por të hasin vështirësi kur projekti zbatohet në terren.
“Gjatë projektimit, shumë arkitektë jemi shumë të mirë në pjesën e vizatimeve, mirëpo kur vjen puna te ekzekutimi i punëve, aty çalojmë”, u shpreh Vejsa.
Një tjetër element që ndikoi në krijimin e akademisë është mundësia për të bashkëpunuar me kompani të lidhura me arkitekturën dhe procesin e realizimit të projekteve. Përmes kësaj qasjeje synohet të krijohen më shumë mundësi për zhvillim profesional dhe të forcohet lidhja mes njohurive teorike dhe punës praktike.
Vejsa tha se përgatitja më e mirë praktike mund të ndihmojë në rritjen e konkurrencës në profesion dhe, si rezultat, në përmirësimin e cilësisë së ndërtimeve në vend. Adapt Academy lidhet me projektin “Matching Skills to Jobs”, të financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe të zbatuar nga Swisscontact.