Adriana Matoshi dhe Bylbyl Sokoli flasin gabimisht për Lojërat Olimpike

Adriana Matoshi dhe Bylbyl Sokoli flasin gabimisht për Lojërat Olimpike

Gjatë diskutimit për përgatitjet e “Prishtina 2030”, dy deputetë të LVV-së iu referuan Lojërave Olimpike. Kosova, megjithatë, do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Gjatë një mbledhjeje të Komisionit për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini, dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje iu referuan Lojërave Olimpike në vend të Lojërave Mesdhetare, të cilat Kosova do t’i organizojë në vitin 2030.

Komisioni u mblodh të martën për të shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Kosovës për vitin 2026, në fushat që hyjnë në përgjegjësinë e tij. Pas diskutimeve, anëtarët e përkrahën projektligjin njëzëri.

Në rend të diskutimeve ishte edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Gjatë bisedës për punimet në stadiumin e Gjilanit, deputetja Adriana Matoshi përmendi Lojërat Olimpike.

“Me sa e di unë, tani është problemi te dinamika e punimeve, ka stagnuar muajt e fundit. Ndoshta është mirë me bisedu edhe me ministrin, pasi jemi edhe afër Lojërave Olimpike, edhe me pa ku janë problemet”, tha Matoshi.

Edhe deputeti Bylbyl Sokoli, profesor universitar dhe trajner futbolli, përdori të njëjtin emërtim kur kërkoi informacione për ecurinë e përgatitjeve. “Të na informojnë në lidhje me arritjet deri ku kanë mbërri rreth Lojërave Olimpike”, u shpreh ai.

Kosova ka fituar të drejtën për të organizuar Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Ngjarja sportive ndërkombëtare ishte pjesë e diskutimeve të komisionit krahas shqyrtimit të projektligjit për buxhetin e vitit të ardhshëm.