AGSH kërkon hetim pas incidenteve ndaj gazetarëve në protestat e Tiranës

AGSH kërkon hetim pas incidenteve ndaj gazetarëve në protestat e Tiranës

Gjatë protestave të studentëve në Tiranë u raportuan të paktën 10 incidente që prekën 12 gazetarë dhe punonjës mediash. AGSH kërkon hetim dhe identifikimin e përgjegjësve, ndërsa të paktën tre punonjës raportuan lëndime fizike.

Të paktën 10 incidente ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike u regjistruan gjatë protestave të studentëve në Tiranë, më 13 dhe 14 tetor. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) bëri të ditur se 12 punonjës të mediave u prekën, ndërsa të paktën tre raportuan lëndime fizike.

Sipas AGSH-së, nëntë nga incidentet lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër me sulmin e protestuesve të maskuar ndaj ekipit të Report TV. Asociacioni kërkoi që denoncimet të hetohen dhe përgjegjësit të identifikohen.

Vetëm më 14 tetor u regjistruan pesë raste, përfshirë pengimin e gazetarëve gjatë filmimit, marrjen e telefonit të një gazetareje nga një efektiv policie, lëndimin e një operatori dhe dëmtimin e një kamere.

Gazetarja e Euronews Albania, Alice Taylor, tha se një polic ia mori telefonin ndërsa fotografonte protestën dhe refuzoi disa herë t’ia kthente, edhe pasi ajo u identifikua si gazetare. Pajisja iu kthye pas ndërhyrjes së një efektivi tjetër dhe protestuesve. Pengesa gjatë raportimit, sipas AGSH-së, hasën edhe Enkelejda Mema e Euronews Albania dhe Bekim Bici i Ora News.

Operatori i News24, Elvin Kamberi, u lëndua teksa dokumentonte përplasjet. Sipas të dhënave të mbledhura nga asociacioni, ai u prek nga një granatë zhurmuese e hedhur nga policia në zonën ku ndodheshin operatorë dhe fotografë. Po atë ditë, protestues të maskuar sulmuan kamerën e ekipit të Report TV.

Rastet e raportuara më 13 tetor

Një ditë më parë, gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj, dhe operatori Heri Simota raportuan dhunë nga efektivë policorë. Gazetarja Fatime Halmusaj pësoi lëndime në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga policia, ndërsa Izmir Akulli, kryeredaktor i Dosja.al, u dërgua për trajtim në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës pas një incidenti pranë Bankës së Shqipërisë, sipas denoncimit publik të drejtuesit të medias.

Gazetari i Top News, Xhoi Malësia, denoncoi se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i kishte drejtuar një granatahedhës për bombula lotsjellëse.

AGSH tha se numri dhe përsëritja e incidenteve nuk duhen trajtuar si raste të izoluara. Asociacioni u kërkoi Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të verifikojnë denoncimet, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të bëjnë publike rezultatet e hetimeve.

Thirrje për masa parandaluese iu drejtua edhe Ministrisë së Brendshme. AGSH u kërkoi gjithashtu organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave të respektojnë sigurinë e gazetarëve dhe pajisjet e tyre; bilanci mund të përditësohet, pasi përfshin rastet e identifikuara deri në publikimin e deklaratës.