Aktorja Demet Özdemir shpëtohet me gomone pas bllokimit nga vërshimet

Aktorja Demet Özdemir shpëtohet me gomone pas bllokimit nga vërshimet

Demet Özdemir është evakuuar nga zona e përmbytur në Stamboll. Pamjet tregojnë ekipet e emergjencës duke e ndihmuar të largohet me gomone; nga vërshimet u evakuua edhe këngëtari Murat Boz.

Aktorja turke Demet Özdemir është evakuuar nga zona e përmbytur në Stamboll, pas reshjeve të rrëmbyeshme që përfshinë qytetin të mërkurën në mbrëmje. Pamjet e publikuara tregojnë momentet kur ekipet e emergjencës e ndihmojnë të largohet nga vendi ku kishte mbetur e bllokuar.

Vërshimet goditën zonën Ayazağa dhe uji depërtoi edhe në studiot televizive ku ndodhej Özdemir. Aty mbetën të bllokuar edhe persona të tjerë, mes tyre këngëtari Murat Boz.

Boz kishte kërkuar më herët publikisht ndërhyrjen e autoriteteve, duke bërë të ditur se situata po rëndohej dhe se ishte ndërprerë energjia elektrike.

Ekipet e shpëtimit arritën deri te objekti me gomone dhe organizuan evakuimin e personave të bllokuar. Në pamjet e publikuara, Özdemir shihet teksa ndihmohet të zbresë nga gomonia dhe të largohet nga zona e përmbytur.

Në operacion u angazhuan disa institucione, përfshirë AFAD-in, zjarrfikësit dhe Rojet Bregdetare turke. Edhe Murat Boz u evakuua.

Përmbytjet shkaktuan një situatë të vështirë për artistët dhe dhjetëra persona të tjerë që ndodheshin në zonë. Pamjet e shpëtimit të aktores dokumentojnë një pjesë të operacionit të zhvilluar pas reshjeve të forta në Stamboll.