Analizat laboratorike nisin në shtëpi: Udhëzimet për mbledhjen e mostrave

Një gabim i vogël gjatë mbledhjes ose ruajtjes së mostrës mund të ndikojë në rezultatet laboratorike. Ja si të veproni me mostrat e urinës dhe jashtëqitjes, kur t’i dorëzoni dhe çfarë duhet shmangur.
Mënyra si mblidhen dhe ruhen mostrat e urinës dhe jashtëqitjes mund të ndikojë drejtpërdrejt në saktësinë e analizave laboratorike. Enët e papërshtatshme, ndotja e mostrës ose dorëzimi me vonesë mund të çojnë në rezultate të pasakta dhe në përsëritjen e analizave.
Për analizën e zakonshme të urinës rekomandohet shpesh mostra e parë e mëngjesit, pasi është më e përqendruar. Për urinokulturën, që përdoret për të identifikuar bakteret që mund të shkaktojnë infeksione urinare, është veçanërisht e rëndësishme të shmanget ndotja.
Si merret mostra e urinës
Duart duhen larë me ujë e sapun, ndërsa organet e jashtme gjenitale pastrohen me ujë të vakët. Te gratë, pastrimi bëhet nga përpara prapa. Përdoret vetëm enë sterile, e hapur pak para mbledhjes së mostrës; pjesa e brendshme dhe kapaku nuk duhet të preken.
Zakonisht mblidhet pjesa e mesme e rrjedhës: fillimisht urinohet për disa sekonda në tualet dhe më pas urina mblidhet në enë. Nuk nevojitet mbushja deri në grykë dhe buza e enës nuk duhet të prekë lëkurën. Pas mbylljes së mirë, mostra duhet dërguar sa më shpejt në laborator.
Gjatë menstruacioneve, gjaku mund të përzihet me urinën dhe të ndikojë në rezultat, përfshirë shfaqjen e rruazave të kuqe të gjakut në analizë. Nëse analiza nuk është urgjente, këshillohet të merret udhëzim nga laboratori për kohën e kryerjes; kur duhet bërë menjëherë, personeli duhet njoftuar për menstruacionet.
Idealisht, mostra e urinës dorëzohet brenda një deri në dy orësh. Nëse kjo nuk është e mundur, për shumë analiza lejohet ruajtja në frigorifer, rreth 4 gradë Celsius, dhe disa mostra mund të ruhen deri në 24 orë. Koha dhe kushtet varen nga analiza, ndaj duhen ndjekur udhëzimet e laboratorit.
Mbledhja dhe ruajtja e jashtëqitjes
Për mostrën e jashtëqitjes përdoret ena e posaçme me lugëz në kapak. Para mbledhjes rekomandohet urinimi, për të shmangur përzierjen e mostrave. Jashtëqitja mblidhet në sipërfaqe të pastër, pa kontakt me urinën, ujin e tualetit apo produktet e pastrimit.
Me lugëz merret një sasi e vogël dhe ena nuk mbushet plot. Nëse ka mukus, gjak ose pjesë të lëngshme, mund të përfshihet edhe një pjesë e tyre, përveç rasteve kur laboratori udhëzon ndryshe. Kapaku mbyllet fort, plotësohen të dhënat e kërkuara dhe duart lahen.
Mostra duhet dorëzuar mundësisht brenda dy orësh. Disa lloje mund të ruhen në frigorifer, ndërsa të tjera kërkojnë dorëzim të menjëhershëm ose kushte të veçanta, sidomos për analizat parazitologjike dhe mikrobiologjike.
Rregullat ndryshojnë sipas ekzaminimit: për koprokulturë duhet shmangur ndotja, ndërsa për analizat parazitologjike mund të kërkohen mostra të mbledhura në ditë të ndryshme. Testi për gjak të fshehtë në jashtëqitje zakonisht përdor një komplet të veçantë. Para çdo analize, është e rëndësishme të ndiqen udhëzimet për enën, sasinë dhe ruajtjen e mostrës.