Analizat zbulojnë aflatoksinë të lartë në misrin serb, refuzohet importi në Kosovë

Një ngarkesë prej 27 tonësh misër nga Serbia është refuzuar nga AUV pas zbulimit të aflatoksinës mbi kufirin e lejuar. Rezultati u konfirmua edhe nga laboratori referent në Austri dhe e gjithë sasia do të kthehet në vendin e origjinës.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin e 27 mijë kilogramëve misër merkantil nga Serbia, pasi analizat laboratorike zbuluan aflatoksinë në nivel mbi kufirin e lejuar. Ngarkesa do të kthehet në vendin e origjinës.
Sipas njoftimit të AUV-së, kontrolli u zhvillua në kuadër të masave të shtuara për sigurinë ushqimore. Misri ishte importuar nga operatori ekonomik IDEAL GROUP SH.P.K.
Analizat konstatuan 33 mikrogramë aflatoksinë për kilogram, ndërsa kufiri i lejuar është 20 mikrogramë për kilogram. Rezultati u konfirmua edhe nga një superanalizë e kryer në laboratorin referent në Austri.
Pas konfirmimit të tejkalimit, AUV vendosi të refuzojë importin dhe urdhëroi kthimin e të gjithë sasisë në Serbi. Agjencia nuk lejoi që ngarkesa të hynte në tregun e Kosovës.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural deklaroi se mbetet e përkushtuar ndaj kontrolleve rigoroze të importeve dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve. Ajo theksoi gjithashtu synimin për të parandaluar hyrjen në treg të produkteve që nuk i përmbushin standardet e sigurisë ushqimore.
Kontrollet e intensifikuara do të vazhdojnë, ndërsa institucionet kanë përsëritur se nuk do të tolerohen produkte që tejkalojnë kufijtë e përcaktuar për substancat e dëmshme.