Anëtaret tregojnë si ua ka ndryshuar jetën Klubi “Dëshira”

Klubi “Dëshira” kërkon zgjerimin e shërbimeve profesionale për personat që kanë nevojë për mbështetje. Në konferencën për Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, anëtaret ndanë përvojat e tyre dhe kryetari i Prishtinës kërkoi hapësira më të përshtatshme për aktivitetet e klubit.
Zgjerimi i shërbimeve për shëndetin mendor dhe krijimi i mundësive të barabarta për personat që kanë nevojë për mbështetje profesionale ishin në qendër të një konference të organizuar nga OJQ-ja Klubi “Dëshira”, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit Mendor.
Drejtori ekzekutiv i organizatës, Nusret Shillova, tha se kërkesat e personave dhe familjeve për ndihmë tregojnë se shërbimet e klubit janë të nevojshme dhe duhet të zgjerohen. Ai theksoi se secili meriton qasje në përkrahje profesionale dhe mundësi të barabarta për të jetuar me dinjitet.
Shillova bëri thirrje që shëndeti mendor të trajtohet si përgjegjësi e përbashkët gjatë gjithë vitit, e jo vetëm në ditë të caktuara. Sipas tij, solidariteti, pranimi dhe mbështetja janë të rëndësishme që njerëzit të dëgjohen dhe të përfshihen në shoqëri.
Rama kërkon hapësira më të përshtatshme
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se duhen hapësira më të mëdha dhe më të mira për anëtarët e klubit. Ato, sipas tij, do t’u mundësonin të socializohen, të punojnë së bashku, të mësojnë dhe të kontribuojnë në shoqëri.
Rama foli edhe për traumën që, sipas tij, shoqëria e Kosovës vazhdon ta bartë nga periudha para luftës, gjatë saj dhe pas saj. Ai theksoi se trajtimi i këtyre pasojave është i rëndësishëm për të parandaluar përcjelljen e traumave te gjeneratat e ardhshme.
Për rëndësinë e klubit folën edhe anëtaret e tij. Dita Karahoda, pjesë e organizatës prej dhjetë muajsh, u shpreh e kënaqur me përvojën dhe mbështetjen që merr.
Ndërkaq, Lumnije Demolli, anëtare që nga viti 2006, tha se në klub ka mësuar shkrim e lexim dhe shumë gjëra të tjera. Ajo tregoi se kjo përvojë e ka ndihmuar të fitojë më shumë pavarësi dhe dinjitet në jetën e përditshme.