Ankesat për dokumente publike dhjetëfishohen, por transparenca nuk rritet domosdoshmërisht

Ankesat për dokumente publike dhjetëfishohen, por transparenca nuk rritet domosdoshmërisht

Ankesat për qasje në dokumente publike janë rritur nga 141 në vitin 2021 në mbi 1 mijë. Krenare Sogojeva-Dermaku thotë se kjo tregon vetëdijesim më të madh të qytetarëve, por jo domosdoshmërisht transparencë më të lartë institucionale.

Ankesat për qasje në dokumente publike në Kosovë janë rritur ndjeshëm, por kjo nuk dëshmon automatikisht se institucionet janë bërë më transparente. Krenare Sogojeva-Dermaku nga Agjencia për Informim dhe Privatësi tha se numri i ankesave është rritur dhjetëfish që nga viti 2021, ndërsa qytetarët tashmë dinë ku të drejtohen kur u refuzohet qasja.

Sipas saj, në vitin 2021 Agjencia kishte pranuar 141 ankesa, ndërsa tani numri ka arritur në mbi 1 mijë. Ajo u shpreh në emisionin “FIVE” në Dukagjin se kjo rritje pasqyron njohjen më të madhe të qytetarëve për të drejtën e tyre për të kërkuar dokumente publike.

Megjithatë, Sogojeva-Dermaku tha se vazhdon hezitimi i institucioneve për të ofruar dokumentet e kërkuara. Ajo vuri në dukje se kërkesat janë bërë më të ndërlikuara: krahas dokumenteve më të thjeshta, si planet e fushëveprimit, qytetarët kërkojnë tashmë dosje të plota për shërbimet e institucioneve.

Agjencia synon nxjerrjen e informacionit

Trajtimi i dosjeve të tilla mund të kërkojë shqyrtimin e të dhënave personale, të cilat duhet të analizohen përpara se dokumentet të bëhen publike. Sogojeva-Dermaku përmendi gjithashtu rastet kur qytetarëve u duhet të paraqiten fizikisht, për shkak se nuk ka shërbime digjitale përkatëse.

Ajo tha se Agjencia nuk e ka ndëshkimin e institucioneve si përparësi kryesore. Synimi, sipas saj, është që informacioni publik të bëhet i qasshëm dhe qytetarët të marrin përgjigje brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Gjobë më e lartë e shqiptuar për shkelje në fushën e qasjes në dokumente publike është 13 mijë euro, ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, bëri të ditur Sogojeva-Dermaku.

Në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, Agjencia ka shqiptuar gjobë deri në 50 mijë euro ndaj një kompanie sigurimesh, shtoi ajo.