Apeli i Policisë gjatë protestës studentore: Ruani qetësinë dhe shmangni dhunën

Apeli i Policisë gjatë protestës studentore: Ruani qetësinë dhe shmangni dhunën

Policia e Shtetit u bëri thirrje protestuesve në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar. Autoritetet paralajmëruan se çdo veprim i kundërligjshëm mund të sjellë përgjegjësi penale.

Policia e Shtetit u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në protestën studentore në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të largohen nga personat e maskuar, të cilët, sipas saj, po sulmojnë punonjësit e policisë dhe po dëmtojnë pronën publike e private.

Në apelin drejtuar protestuesve, policia thekson se e drejta për të protestuar garantohet nga Kushtetuta. Ajo, megjithatë, e cilëson të papranueshme dhunën ndaj efektivëve, qytetarëve dhe institucioneve, duke kujtuar se veprime të tilla dënohen me ligj.

Autoritetet u kanë kërkuar pjesëmarrësve që të ndalin menjëherë aktet e dhunës. Sipas Policisë së Shtetit, kushdo që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale.

Policia njoftoi se do të vijojë të jetë e pranishme në terren, me synimin për të garantuar sigurinë publike, për të mbrojtur jetën dhe pronën, si dhe për të mundësuar ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor.

“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”, thuhet në apelin e saj. Policia u shpreh se do të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin.