Apeli i Shkurte Fejzës për protestat studentore: Të rinjtë duhen dëgjuar

Shkurte Fejza i është drejtuar Edi Ramës me një apel për protestat studentore. Këngëtarja kërkon që të rinjtë të dëgjohen dhe zgjidhja të ndërtohet përmes dialogut e mirëkuptimit.
Këngëtarja Shkurte Fejza i ka bërë thirrje publike kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që të dëgjojë shqetësimet e studentëve dhe të kërkojë një zgjidhje përmes dialogut e mirëkuptimit.
Në mesazhin e saj, Fejza tha se Shqipërisë i duhen qetësi, drejtësi dhe bisedë mes palëve. Ajo theksoi se të rinjtë nuk duhet të shihen si kundërshtarë, por si pjesë e rëndësishme e së ardhmes së vendit.
Këngëtarja rikujtoi se pas çdo studenti që kërkon zgjidhje qëndron një familje me shpresa, sakrifica dhe ëndrra. Për këtë arsye, ajo i kërkoi Ramës të gjendet një rrugë e drejtë dhe e arsyeshme, që t’u japë shpresë studentëve dhe qetësi familjeve të tyre.
“Ndërkohë, madhështia e udhëheqjes nuk qëndron vetëm në vendimet që merren, por edhe në gatishmërinë për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të gjetur dorën e pajtimit”, shkroi Fejza.
Ajo vlerësoi se zgjidhja e situatës duhet të shmangë thellimin e ndarjeve dhe, në vend të kësaj, të ndihmojë në ndërtimin e besimit mes institucioneve dhe qytetarëve.
“Shqipëria ka nevojë për qetësi, urtësi, drejtësi dhe zemërgjerësi. Ka nevojë që të rriturit t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që shpresa të mos shuhet në sytë e tyre”, u shpreh këngëtarja.
Në përfundim të mesazhit, Fejza tha se shpreson të gjendet një zgjidhje e mirë për të gjithë. Ajo e cilësoi thirrjen e saj si lutje për Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve të saj.