Arian Tahiri: Synimi i PDK-së ishte konsensusi, jo marrja e pushtetit

Arian Tahiri thotë se PDK-ja kërkoi unitet politik pas vendimit të Gjykatës Speciale, jo hyrje në pushtet. Sipas tij, Bedri Hamza nisi takime me kryetarët e partive për të gjetur një qëndrim të përbashkët.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se partia e tij synoi krijimin e unitetit politik pas vendimit të Gjykatës Speciale, e jo marrjen e pushtetit. Deklaratën e bëri në emisionin “Politiko” në Kanal10, ku foli për qëndrimin dhe nismat e PDK-së lidhur me zhvillimet e fundit.
Tahiri rikujtoi se PDK-ja ishte deklaruar më herët se do të qëndronte në opozitë. Sipas tij, kërkesa e partisë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara ka qenë e vendosur dhe e pandryshuar.
“Qëllimi i Partisë Demokratike të Kosovës ka qenë që gjithë kapitalin e saj politik me ofru në shërbim të vendit dhe me këtu Kosovën. Nuk ka pasë aspiratë, qëllim PDK-ja për pushtet, për shkak se ne jemi deklaru qysh herët që do të jemi opozitë e qeverisë”, tha Tahiri.
Takime për qëndrim të përbashkët
Ai tha se pas zhvillimeve të 16 shtatorit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nisi takimet me kryetarët e partive të tjera. Sipas Tahirit, synimi ishte që subjektet politike të arrinin një qëndrim të përbashkët për situatën.
Deputeti e përshkroi atë si emergjente dhe shqetësuese, duke thënë se PDK-ja kërkonte bashkim të spektrit politik përballë saj. “Me qëllimin e vetëm që të flasim në unitet politik rreth situatës që është edhe emergjente, mirëpo edhe shqetësuese”, deklaroi ai.
Tahiri shtoi se angazhimi i partisë synonte krijimin e një konsensusi të përbashkët politik. Ai e lidhi këtë përpjekje edhe me mobilizimin e qytetarëve në Kosovë dhe në diasporë.