Arrest shtëpie, paraqitje dhe burg për të arrestuarit pas protestës në Tiranë

Të arrestuarit pas protestës së 13 tetorit në Tiranë dolën para gjykatës për caktimin e masave të sigurisë. Mes masave të vendosura janë arresti në shtëpi, paraqitja dhe arresti me burg. Në hetim janë edhe 49 persona të tjerë.
Të arrestuarit pas protestës së 13 tetorit në Tiranë dolën të premten para gjykatës, ku u shqyrtua caktimi i masave të sigurisë. Seanca nisi në orën 08:30 dhe po zhvillohet në grupe, për shkak të hapësirës së kufizuar në ambientet gjyqësore.
Çështja po shqyrtohet nga gjyqtarja Amarilda Sulaj. Në gjykatë janë parë edhe forca policore të pajisura me skafandër dhe maska gazi, të cilat qëndruan në gatishmëri. Situata paraqitej e qetë.
Për protestuesit janë caktuar masa të ndryshme sigurie. Mes tyre përfshihen arresti në shtëpi, detyrimi për t’u paraqitur dhe arresti me burg.
Arrestimet pasuan incidentet e regjistruara gjatë tubimit të 13 tetorit. Gjatë protestës pati sulme ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës, si dhe dëmtime të bizneseve dhe bankomateve. U raportua edhe për djegie të koshave të mbeturinave dhe përplasje me Policinë.
Të arrestuarit përballen me akuza për tetë vepra penale, përfshirë goditjen për shkak të detyrës, prishjen e rendit dhe qetësisë publike, shkatërrimin e pronës dhe shkatërrimin e pronës me zjarr. Në listën e veprave të përmendura janë gjithashtu kundërshtimi i punonjësit të rendit publik dhe mbajtja apo tregtimi pa leje i armëve të ftohta.
Në lidhje me ngjarjet janë vënë nën hetim edhe 49 persona të tjerë. Gjatë protestës, gjashtë punonjës policie mbetën të lënduar.