Begaj dënon dhunën në protesta dhe u kërkon palëve të shmangin përplasjet

Begaj dënon dhunën në protesta dhe u kërkon palëve të shmangin përplasjet

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar dhunën pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë. Ai u kërkon protestuesve dhe aktorëve të përfshirë të shmangin përplasjet dhe të zgjedhin dialogun, duke uruar shërim të shpejtë për të lënduarit.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dënuar aktet e dhunës pas përshkallëzimit të protestave në Tiranë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve e aktorëve të përfshirë të zgjedhin qetësinë dhe dialogun.

Në mesazhin e tij, Begaj tha se zëri i çdo qytetari meriton të dëgjohet, veçanërisht ai i të rinjve, të cilët i cilësoi si shpresën dhe të ardhmen e vendit. Megjithatë, ai theksoi se dhuna nuk mund të jetë zgjidhje.

Sipas presidentit, aktet e dhunshme dëmtojnë shoqërinë, rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe thellojnë polarizimin në bashkëjetesën demokratike. Ai u bëri thirrje protestuesve dhe të gjithë të përfshirëve të shmangin përplasjet dhe të ruajnë stabilitetin e vendit.

Begaj tha se Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjshmëri dhe dialog, ndërsa dallimet duhet të shërbejnë si nxitje për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të gjetur zgjidhje në interes të qytetarëve.

Presidenti u kërkoi të gjithëve të tregojnë maturi dhe të mos lejojnë që tensionet të cenojnë rendin kushtetues e stabilitetin. Ai shprehu mbështetje për forcat e rendit në detyrën e tyre dhe uroi shërim të shpejtë për të gjithë të lënduarit, qofshin policë apo protestues.

Në përfundim të mesazhit, Begaj u shpreh i gatshëm të ofrojë hapësirë për dialog dhe mirëkuptim. Ai u bëri thirrje aktorëve të përfshirë të angazhohen për dialog e bashkëpunim, në interes të të rinjve dhe të Shqipërisë.