Çeku diskuton me mësimdhënësit e Ferizajt prioritetet e Strategjisë së Arsimit 2035+

Çeku diskuton me mësimdhënësit e Ferizajt prioritetet e Strategjisë së Arsimit 2035+

Çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në shkollë u diskutuan në takimin e ministrit Hajrulla Çeku me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt. Në fokus ishin autonomia shkollore, mësimi tërëditor dhe mbështetja profesionale e mësimdhënësve.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, ka zhvilluar bashkëbisedime me mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt në kuadër të hartimit të Strategjisë së Arsimit 2035+. Gjatë takimit, ai ka dëgjuar ide, shqetësime dhe propozime për sfidat me të cilat përballet sistemi arsimor.

Sipas Çekut, diskutimet janë përqendruar në disa çështje që pritet të trajtohen në strategji. Ndër to janë autonomia e shkollave, organizimi i mësimit tërëditor, provimi shtetëror për hyrje në profesion, rishikimi i teksteve shkollore dhe mbështetja e vazhdueshme profesionale për mësimdhënësit.

Ministri i ka cilësuar këto tema si çështjet kryesore të ciklit të bisedimeve. Ai ka theksuar se përmirësimi i cilësisë së arsimit duhet të shoqërohet me forcimin e pozitës së mësimdhënësve.

“Parimi ynë udhëheqës është i qartë: ngritja e cilësisë në arsim duhet të shoqërohet me fuqizimin e pozitës së mësimdhënësve”, ka deklaruar Çeku.

Ministri i ka falënderuar mësimdhënësit e rajonit të Ferizajt për diskutimin e hapur dhe kontributin e dhënë në procesin e hartimit të strategjisë. Ai ka thënë se synimi është që dokumenti të përgatitet së bashku me komunitetin arsimor dhe më pas të zbatohet me përfshirjen e tij.

“Strategjinë po e hartojmë bashkë, që bashkë edhe ta zbatojmë”, ka përfunduar Çeku.