Delegacioni i BE-së: Protestat duhet të zhvillohen në mënyrë paqësore

BE-ja në Shqipëri ka dënuar dhunën dhe dëmtimin e pronës gjatë protestës. Delegacioni u bëri thirrje pjesëmarrësve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë të drejtën për tubim paqësor.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dënuar dhunën dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestës, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të ushtrojnë të drejtën për tubim në mënyrë paqësore.
Në një reagim publik, delegacioni theksoi se aktet e dhunshme nuk kanë vend në një shoqëri demokratike. “Dhuna nuk ka vend në demokraci”, thuhet në deklaratë.
BE-ja u kërkoi protestuesve të shmangin veprimet e dhunshme dhe të respektojnë pronën publike dhe private. Në reagim u rikujtua se liria e tubimit dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera evropiane, të cilat duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Delegacioni nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dialogut konstruktiv mes të gjitha palëve. Sipas reagimit, dialogu është rruga për adresimin e shqetësimeve legjitime.
Deklarata e BE-së vjen pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestës, ku u raportua për dhunë dhe dëmtim të pronës publike e private.