Dëme prej qindra mijëra frangash, banka zvicerane reagon me video humoristike

Dëme prej qindra mijëra frangash, banka zvicerane reagon me video humoristike

Një shpërthim shkatërroi bankomatin në Thayngen dhe shkaktoi dëme që kapin disa qindra mijëra franga. Banka iu përgjigj incidentit me një video humoristike, ndërsa policia po kërkon dy të dyshuarit që u larguan drejt Gjermanisë.

Një shpërthim që shkatërroi një bankomat në Thayngen të Zvicrës i ka shkaktuar bankës dëme të mëdha materiale, por institucioni ka zgjedhur t’i përgjigjet ngjarjes me humor. Clientis Spar- und Leihkasse publikoi një video në rrjetet sociale, ku punonjësit ironizojnë përpjekjen e të dyshuarve për të marrë para në këtë mënyrë.

Në një postim në LinkedIn, drejtuesi i bankës, Adrian Rosenberger, e përmblodhi incidentin me fjalët: “Bankomati: i hedhur në erë, karta bankare: asnjë, plaçka: 0 CHF”. Sipas tij, fillimisht ishte zemëruar për dëmet, të vlerësuara në disa qindra mijëra franga zvicerane, por më pas kërkoi të gjente një anë pozitive në situatën e vështirë.

Videoja u realizua pasi postimi i tij mori reagime dhe mbështetje. Rosenberger tha se, së bashku me një specialist të marketingut, vendosën ta trajtonin ngjarjen përmes rrjeteve sociale, për t’u treguar klientëve se banka vazhdon të jetë pranë tyre.

Reagimet ndaj videos kanë qenë kryesisht pozitive. Klientë, miq dhe kolegë e përgëzuan ekipin për mënyrën si e përballoi incidentin, ndërsa përdoruesit në Instagram e vlerësuan reagimin e bankës. Megjithatë, Rosenberger tha se pamja e degës së dëmtuar e kishte prekur emocionalisht.

Dega mbetet përkohësisht e mbyllur

Për shkak të dëmeve, dega nuk është ende e hapur për shërbime të zakonshme. Klientët mund të porosisin paraprakisht para të gatshme dhe t’i tërheqin me takim; konsultimet bankare po ashtu vazhdojnë me rezervim paraprak. Rosenberger shpreson që tërheqjet e rregullta të parave të rifillojnë deri në fund të javës pas shpërthimit.

Ngjarja ndodhi pak para orës 04:00 të mëngjesit të së mërkurës, përballë stacionit të trenit në Thayngen, në kantonin e Schaffhausenit. Sipas policisë kantonale, tre persona të dyshuar u larguan me një veturë të zezë. Rreth 20 minuta më vonë, policia u njoftua se një burrë me lëndime të rënda ishte paraqitur në urgjencën e spitalit të Schaffhausenit.

Burri kishte lëndime në dorë dhe në kofshë, të shkaktuara nga shpërthimi, dhe dyshohet se është njëri nga autorët. Dy të dyshuarit e tjerë dyshohet se u larguan me automjet në drejtim të Gjermanisë; policia po vazhdon kërkimet për ta. Banorët e zonës raportuan në rrjetet sociale se kishin dëgjuar dy shpërthime të fuqishme dhe se u ishin dridhur dritaret e shtëpive.