Dënim kapital dhe mbi 12 vjet burg për 23-vjeçaren në Iran

Dënim kapital dhe mbi 12 vjet burg për 23-vjeçaren në Iran

Një gjykatë në Iran ka dënuar me vdekje 23-vjeçaren Najmeh Amini për një postim që autoritetet e cilësuan fyes ndaj profetit Muhamed. Ajo është dënuar gjithashtu me mbi 12 vjet burg; vendimi mund të apelohet.

Një studente 23-vjeçare në Iran është dënuar me vdekje për një postim në rrjetet sociale, të cilin autoritetet e kanë cilësuar si fyerje ndaj profetit Muhamed. Najmeh Amini po mbahet në burg në Mashhad, ndërsa vendimi mund të apelohet në Gjykatën Supreme dhe nuk është ende përfundimtar.

Përveç dënimit me vdekje, Amini është dënuar me 12 vjet, gjashtë muaj e një ditë burgim. Akuza ndaj saj përfshijnë veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe propagandë kundër regjimit.

E reja u arrestua gjatë protestave të janarit. Muajin e kaluar, nga burgu, ajo u dërgoi një mesazh organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetje për rastin e saj dhe duke iu drejtuar Kombeve të Bashkuara, avokatëve dhe organizatave për të drejtat e njeriut.

“Nuk dua ta paraqes veten si heroinë. Dua vetëm një gjë: bëhuni zëri im”, tha Amini në mesazhin e saj.

Sipas gazetës iraniane Khorasan, studentja u tha autoriteteve se e kishte shkruar postimin pasi kishte konsumuar kërpudha halucinogjene me miqtë. Avokati i saj argumentoi se bëhej fjalë për një lapsus, por gjykatësi nuk e pranoi këtë mbrojtje dhe vuri në pikëpyetje shpjegimin e saj.

Ligjet iraniane parashikojnë dënimin me vdekje për fyerjen e profetit Muhamed, megjithëse ekzekutimet për këtë vepër janë të rralla. Rastet e fundit të njohura u raportuan më 2023, kur dy burra u ekzekutuan pas dënimeve për veprimtarinë e tyre në internet.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur shqetësim për përdorimin e dënimit kapital në Iran. Sipas Iran Human Rights, gjatë këtij viti janë ekzekutuar më shumë se 600 persona.