Diddy dërgohet me ambulancë nga burgu pas një rrëzimi të dyshuar

Diddy dërgohet me ambulancë nga burgu pas një rrëzimi të dyshuar

Sean “Diddy” Combs dyshohet se është lënduar në kokë pas një rrëzimi në burgun federal FCI Fort Dix. Reperi u transportua me ambulancë dhe, sipas burimeve të cituara, ishte i vetëdijshëm kur u kthye në institucion.

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs dyshohet se është lënduar në kokë pas një rrëzimi në burgun federal FCI Fort Dix, në New Jersey. Sipas raportimeve të mediave amerikane, ai u transportua me ambulancë nga institucioni mëngjesin e së shtunës.

Burime nga burgu kanë thënë se Combs ishte i vetëdijshëm dhe në gjendje të komunikonte kur u kthye në institucion, para agimit. Rrethanat e rrëzimit dhe shkalla e dëmtimit nuk janë bërë të ditura.

Përfaqësuesi i reperit, Juda Engelmayer, i tha “Daily Mail” se ekipi ishte në dijeni të raportimeve dhe po përpiqej të konfirmonte se çfarë kishte ndodhur. “Shëndeti dhe mirëqenia e Sean janë shqetësimi ynë i menjëhershëm”, deklaroi ai.

Sipas TMZ, ende nuk dihet si ndodhi rrëzimi. “Daily Mail” ka kërkuar koment edhe nga përfaqësuesit e burgut federal.

Dënimi dhe lirimi i parashikuar

Incidenti raportohet teksa Combs po vuan dënimin me burg, pas një procesi gjyqësor që mori vëmendje të gjerë. Vitin e kaluar, ai u dënua me katër vjet e dy muaj burg, pasi juria e shpalli fajtor për dy akuza që lidhen me transportimin e personave për qëllime prostitucioni përtej kufijve shtetërorë. Ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda të organizimit kriminal dhe trafikimit seksual.

Sipas Byrosë Federale të Burgjeve, data e parashikuar e lirimit të tij është ndryshuar disa herë. Aktualisht, lirimi është planifikuar për 2 mars 2028, rreth gjashtë javë më vonë se data e mëparshme, 21 janar 2028.

Mediat amerikane kanë publikuar edhe pretendime të të burgosurve për trajtim të privilegjuar të Combs në institucion. Një raportim i NBC News, duke cituar persona që kanë qëndruar në të njëjtin sektor, thoshte se disa të burgosur i përgatisnin ushqime, pastronin qelinë dhe i ofronin masazhe.

Të njëjtat raportime pretendonin se ai mund të kishte pasur qasje në telefon celular, tablet të modifikuar dhe pije alkoolike të futura kontrabandë. Sipas tyre, shpenzimet për këto privilegje dyshohet se mbuloheshin përmes llogarive të blerjeve të të burgosurve të tjerë, të rimbushura nga persona jashtë burgut. Këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur; përfaqësuesi i Combs ka thënë se thashethemet e publikuara nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.