Doktrina dhe inovacioni në mbrojtje, në fokus të takimit Kosovë-Shqipëri

Doktrina dhe inovacioni në mbrojtje, në fokus të takimit Kosovë-Shqipëri

FSK-ja dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë po synojnë ta thellojnë bashkëpunimin në doktrinë, shkëmbim përvojash dhe inovacion në mbrojtje. Delegacioni shqiptar vizitoi Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, si dhe bëri homazhe në Prekaz e Koshare.

Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë po vazhdojnë bashkëpunimin bilateral, me synim shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e koncepteve të reja në fushën ushtarake.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, një delegacion i Institutit të Kërkimeve Shkencore të Forcave të Armatosura të Shqipërisë vizitoi Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së.

Delegacioni, i kryesuar nga gjeneral brigade Fatmir Neziraj, u prit nga komandanti i KDS-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj, si dhe nga përfaqësues të Qendrës së Doktrinës.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve. Në fokus ishin shkëmbimi i përvojave, zhvillimi i koncepteve dhe doktrinës ushtarake, si dhe avancimi i inovacionit në fushën e mbrojtjes.

Vizita përfshiu edhe homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në varrezat e dëshmorëve në Koshare. Delegacioni shqiptar nderoi të rënët për lirinë e Kosovës.