Drafti i Ministrisë së Mbrojtjes parashikon gjashtë divizione për prodhimin ushtarak

Drafti i Ministrisë së Mbrojtjes parashikon gjashtë divizione për prodhimin ushtarak

Kosova po shqyrton krijimin e një korporate shtetërore për industrinë e mbrojtjes. Drafti parasheh prodhim municionesh, dronësh e pajisjesh ushtarake, si dhe një park industrial dhe strukturë të posaçme mbikëqyrëse.

Kosova po planifikon krijimin e një Korporate Shtetërore të Industrisë së Mbrojtjes, që do të përfshijë kapacitete për prodhimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake. Drafti i koncept-dokumentit, i finalizuar nga Ministria e Mbrojtjes, parasheh edhe ngritjen e një parku industrial dhe të një agjencie të re në kuadër të ministrisë.

Korporata parashihet të ketë gjashtë divizione. I pari do të merret me prodhimin e municioneve të kalibrave të vegjël dhe të artilerisë. Sipas draftit, një fabrikë moderne mund të ndërtohet në perëndim të vendit, me Jahocin e Gjakovës si një lokacion të mundshëm, dhe të përdorë teknologji turke ose gjermane.

Një divizion tjetër do të fokusohet në automjetet ushtarake, kryesisht në mirëmbajtje, riparim e rindërtim, përfshirë rifabrikimin e mjeteve të blinduara. Për dronët dhe sistemet kundërdronë parashihet divizion i veçantë, si dhe krijimi i një laboratori kombëtar në bashkëpunim me kompani vendore dhe institute kërkimore.

Gjashtë fusha të planifikuara

Struktura e propozuar përfshin edhe një divizion për sistemet elektronike ushtarake dhe C4ISR, që mbulon komunikimet taktike, sensorët dhe sistemet e komandës e kontrollit. Dokumenti e lidh këtë fushë me synimin për të rritur pavarësinë teknologjike të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe për të zhvilluar aftësi që mund të përdoren edhe në sektorin civil.

Dy divizionet e tjera do të mbulojnë pajisjet individuale, si uniformat, helmetat dhe jelekët antiplumb, si dhe operimin e përditshëm dhe sigurinë e parkut industrial. Nën agjencinë e propozuar do të funksiononin gjithashtu pesë departamente, me detyra që përfshijnë hartimin e politikave e legjislacionit, kontrollin e cilësisë dhe mbikëqyrjen e licencave për prodhimin e municioneve dhe eksportin e armëve.

Koncept-dokumenti e paraqet zhvillimin e industrisë së mbrojtjes si mënyrë për të modernizuar pajisjet, për të ulur varësinë nga importi dhe për të nxitur kërkimin, investimet dhe punësimin. Ai vë në pah mungesën e kapaciteteve teknike e infrastrukturore në vend dhe propozon një model të kombinuar, duke marrë elemente nga Kroacia, Turqia, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara.

Dokumenti propozon gjithashtu hartimin e një ligji që do të rregullonte prodhimin, tregtimin dhe eksportin e armëve e pajisjeve të mbrojtjes, si dhe licencimin e kompanive të sektorit. Sipas propozimit, ligji do të synonte mbrojtjen e interesit kombëtar dhe nxitjen e inovacionit e zhvillimit ekonomik.