Egnatia–Midtjylland luhet në Elbasan pas protestave në Tiranë

Ndeshja e Egnatias me Midtjyllandin nuk do të luhet në Tiranë. Për shkak të protestave dhe situatës në kryeqytet, takimi i Ligës së Konferencës është zhvendosur në “Elbasan Arena”.
Ndeshja mes Egnatias dhe Midtjyllandit në Ligën e Konferencës do të zhvillohet në Elbasan, pasi organizatorët vendosën ta zhvendosin nga Tirana për shkak të protestave në kryeqytet.
Takimi, i vlefshëm për raundin e parë të fazës së ligës, ishte planifikuar të luhej në orën 18:45 në “Arenën Kombëtare”. Situata e krijuar në Tiranë bëri që stadiumi pritës të ndryshohej.
Klubi i Egnatias konfirmoi vendimin përmes një njoftimi zyrtar. Përballja do të luhet në “Elbasan Arena”, në qytetin e Elbasanit.
“Për shkak të situatës së krijuar në Tiranë dhe për të garantuar sigurinë, ndeshja do të zhvillohet në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Presim mbështetjen tuaj”, thuhet në njoftimin e klubit.
Egnatia do të kërkojë mbështetjen e tifozëve në këtë përballje evropiane, e cila tashmë do të zhvillohet jashtë kryeqytetit shqiptar.