Elvana Gjata bën thirrje për protestë pa dhunë: Mos e shkatërroni vendin

Elvana Gjata bën thirrje për protestë pa dhunë: Mos e shkatërroni vendin

Elvana Gjata u është bashkuar thirrjeve për qetësi pas përplasjeve gjatë protestave në Tiranë. Këngëtarja kërkoi që të rinjtë të dëgjohen përmes dialogut dhe qytetarët të protestojnë pa dhunë e shkatërrime.

Elvana Gjata ka reaguar për protestat dhe përplasjet në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve të shprehin pakënaqësitë, por të shmangin dhunën dhe dëmtimin e pronës. Në një postim në Instagram, këngëtarja shprehu shqetësimin për dhunën ndaj të rinjve dhe policëve.

“Më dhemb në shpirt kur shoh një të ri që dhunohet, një polic që dhunohet, një shqiptar që ngre dorën kundër një shqiptari tjetër”, shkroi Gjata, duke dënuar përplasjet mes qytetarëve.

Ajo iu drejtua gjithashtu politikës, qeverisë dhe udhëheqësve të vendit, me kërkesën që zëri i të rinjve të dëgjohet pa paragjykime dhe pa kushte. Sipas artistes, kjo duhet të bëhet përmes një dialogu të vërtetë.

“Mos e shkatërroni këtë vend! Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, theksoi ajo në mesazhin e saj.

Në fund, Gjata i nxiti qytetarët të protestojnë, të shprehin pakënaqësitë dhe të bashkohen në protesta qytetare, por pa shkatërrime e dhunë. “Protesto! Ulërit! Frymëzo! Bashkohu në protestë qytetare! Por, mos shkatërro! Mos digj! Mos dhuno!”, shkroi këngëtarja, duke shtuar se vendi u përket të gjithëve dhe se rinia meriton një të ardhme më të mirë.

Protestat në Tiranë u zhvilluan më 13 dhe 14 tetor. Studentë dhe qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar ndryshime në arsim dhe për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë. Tubimet u shoqëruan me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.