Estonia riafirmon mbështetjen për Kosovën në takimin e Konjufcës me Tsahknan

Estonia riafirmon mbështetjen për Kosovën në takimin e Konjufcës me Tsahknan

Estonia riafirmoi mbështetjen për Kosovën në takimin e ministrave të jashtëm Glauk Konjufca dhe Margus Tsahkna në Varshavë. Bisedimet u përqendruan te integrimi evropian, siguria rajonale dhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, u takua me homologun e tij estonez, Margus Tsahkna, në kuadër të Forumit të Sigurisë në Varshavë. Gjatë takimit, Tsahkna riafirmoi mbështetjen e Estonisë për Kosovën, ndërsa dy ministrat biseduan për perspektivën evropiane të vendit dhe rëndësinë e saj për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Konjufca bëri të ditur për takimin përmes një postimi në Facebook. Ai vlerësoi përvojën e Estonisë, duke thënë se historia e saj është kthyer në vetëdije për lirinë dhe aftësi për ta mbrojtur atë.

Ministri kosovar veçoi edhe rolin e Estonisë në qeverisjen digjitale dhe sigurinë kibernetike. Sipas tij, integrimi evropian i Kosovës lidhet me forcimin e paqes dhe të sigurisë në të gjithë Evropën.

Në postimin e tij, Konjufca tha se kërcënimet që burojnë nga Serbia, veprimet hibride dhe ndikimi rus kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Ai tregoi se me Tsahknan ishte takuar për herë të parë në vitin 2024 dhe i përshkroi bisedat me të si të hapura e të drejtpërdrejta. Konjufca e falënderoi homologun estonez për miqësinë dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, si dhe për gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.