Familjarët e gjejnë 15-vjeçaren gjallë brenda arkivolit gjatë ceremonisë mortore

Familjarët e gjejnë 15-vjeçaren gjallë brenda arkivolit gjatë ceremonisë mortore

Një 15-vjeçare u zgjua brenda arkivolit gjatë funeralit të saj në Guatemalë. Familjarët e kishin konsideruar të vdekur, por vdekja nuk ishte konfirmuar nga mjeku; nëna e saj vuri re lëvizje gjatë ceremonisë.

Një vajzë 15-vjeçare në Guatemalë u zgjua brenda arkivolit gjatë funeralit të saj, pasi familjarët besuan se ajo kishte vdekur. Yuleidy Ixcotoyac humbi ndjenjat gjatë rrugës për në një qendër mjekësore, ku po e dërgonte babai i saj, Abraham Ixcotoyac.

Babai ndaloi veturën dhe kontrolloi frymëmarrjen e pulsin e së bijës. Duke menduar se ajo nuk po merrte frymë dhe nuk kishte puls, ai besoi se vajza kishte vdekur. Gjendja e saj, megjithatë, nuk u konfirmua nga mjeku dhe nuk u lëshua certifikatë zyrtare e vdekjes.

Lëvizjet brenda arkivolit

Për shkak të traditës së varrimit brenda një kohe të shkurtër në zonën ku jeton familja, u ble një arkivol dhe u organizua ceremonia mortore vetëm tetë orë pasi Yuleidy kishte humbur ndjenjat. Gjatë ceremonisë në fshatin El Jocote, nëna e saj, Lesvia Ríos, vuri re lëvizje brenda arkivolit.

Kur familjarët e hapën, vajza filloi të lëvizte dhe u ngrit, duke i lënë të pranishmit të tronditur. Pamjet e publikuara në internet tregojnë familjarët duke e ndihmuar të dalë nga arkivoli dhe duke i dhënë ujë. Pikëllimi i tyre u kthye në gëzim, ndërsa disa bërtisnin “aleluja”.

Yuleidy tregoi se, para se të alivanoshej, kishte ndier dhimbje të forta në gjoks dhe rëndesë në zemër. Ajo është e vetëdijshme dhe po rikuperohet, ndërsa e ka cilësuar përvojën si mrekulli dhe ka shprehur mirënjohje që është gjallë.

Rasti ka nxitur reagime në rrjetet sociale. Disa e kanë përshkruar si mrekulli, ndërsa të tjerë kanë ngritur shqetësim për faktin se vdekja e vajzës nuk u konfirmua nga personeli mjekësor. Autoritetet shëndetësore të Guatemalës nuk kanë komentuar rastin.