Federata belge kërkon garanci për rastin Balogun, FIFA paralajmëron ndryshimin e rregullores

FIFA zotohet të ndryshojë nenin 27 të rregullores disiplinore pas rastit Balogun. Federata belge kërkon ende përgjigje për procesin dhe për ndërhyrjen e pranuar publikisht nga Donald Trump.
FIFA ka konfirmuar se do të ndryshojë nenin 27 të rregullores disiplinore pas shqetësimeve të ngritura nga Federata Belge e Futbollit për rastin e Folarin Balogun. Megjithatë, federata belge thotë se pret ende përgjigje për mënyrën si u trajtua çështja, përfshirë pyetjet mbi ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Çështja u diskutua në një mbledhje të Këshillit të FIFA-s në Cyrih, ku mori pjesë edhe presidentja e federatës belge, Pascale Van Damme. Ajo ngriti tri pyetje para organit drejtues të futbollit botëror, duke kërkuar sqarime për procesin disiplinor dhe rrethanat e vendimit.
Federata belge kërkoi garanci se në procedurë nuk kishte pasur ndikim të jashtëm, pasi Trumpi kishte pranuar publikisht se ishte përfshirë në rast. RBFA kërkoi gjithashtu shpjegime për rrethanat e jashtëzakonshme që çuan në vendim dhe për kriteret e përdorura në zbatimin e nenit 27 në raste të ngjashme.
Pyetja e tretë lidhej me të drejtën e federatave anëtare për t’u dëgjuar në vendimet e ardhshme të organeve disiplinore të FIFA-s. Sipas federatës belge, FIFA u përgjigj se organet e saj disiplinore i marrin vendimet në mënyrë të pavarur.
Ndryshimi pritet të hidhet në votim
FIFA konfirmoi se neni 27 do të ndryshohet pas pyetjeve të RBFA-së. Propozimi pritet të hidhet në votim më 16 dhjetor në Doha, ku, sipas njoftimit, do të jepet edhe një shpjegim për rrethanat specifike të rastit Balogun.
Van Damme e përshëndeti zotimin për ndryshimin e rregullores, por theksoi se për federatën belge çështja nuk mbyllet me këtë hap. Ajo tha se RBFA kërkon edhe qartësi për mënyrën se si zbatohen dispozitat.
“Fakti që FIFA konfirmon se neni 27 do të ndryshohet, gjë që ne e kishim kërkuar që në korrik, përbën një hap të rëndësishëm. Por, për ne, çështja nuk përfundon këtu. Ne kërkojmë jo vetëm ndryshimin e rregullave, por edhe qartësi për mënyrën se si ato zbatohen”, deklaroi Van Damme.
Ajo shtoi se transparenca, siguria juridike dhe qeverisja e mirë duhet të jenë bazë e vendimeve në futbollin ndërkombëtar, duke bërë të ditur se federata do ta ndjekë nga afër rastin.