Fondacioni “Hasan Tahsini” kundërshton portretin e Zervës; organizatorët e heqin nga ekspozita

Fondacioni “Hasan Tahsini” kundërshton portretin e Zervës; organizatorët e heqin nga ekspozita

Portreti i Napolon Zervës është larguar nga galeria e artit në Dervician, pas reagimit të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”. Ekspozimi i tij u cilësua nga fondacioni si provokim ndaj shqiptarëve.

Portreti i Napolon Zervës është hequr nga Galeria e Artit në Dervician, në Dropull, pasi ekspozimi i tij shkaktoi reagime nga Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”. Organizatorët e ekspozitës e larguan portretin pas kundërshtimeve publike.

Zerva, ish-drejtues i formacioneve antifashiste greke gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe arvanitas nga Suli, është përkujtuar ditët e fundit si hero në Greqi. Në kujtesën shqiptare, megjithatë, ai lidhet me dëbimin dhe masakrimin e shqiptarëve të Çamërisë pas luftës.

Fotografia e tij ishte vendosur në galerinë e artit në Dervician, fshat i Bashkisë së Dropullit. Vendosja e portretit nxiti reagimin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, drejtuesit e të cilit e cilësuan veprimin si provokim të rëndë ndaj shqiptarëve.

Fondacioni i kërkoi Bashkisë Dropull të mbante qëndrim për çështjen. Pas reagimeve, portreti u hoq nga galeria nga organizatorët e ekspozitës.