Gashi pret përfaqësues të Ambasadës britanike për mekanizmin e ri të Prokurorisë

Kryeprokurori Zejnulla Gashi u takua me përfaqësues të Ambasadës britanike për të diskutuar mbështetjen ndaj mekanizmit të ri mbikëqyrës. Ai do të analizojë cilësinë e aktakuzave në raste prioritare, me vëmendje të veçantë te korrupsioni i nivelit të lartë.
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, u takua me përfaqësues të Ambasadës së Britanisë së Madhe në Kosovë për të diskutuar mbështetjen e partnerëve britanikë për Mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit.
Në takim morën pjesë Alan Edwards, mentor i Ambasadës britanike për Ekipet e Përbashkëta Hetimore, kontrabandimin me njerëz dhe krimin e organizuar, si dhe Altina Besimi, zyrtare për zbatimin e politikave në sektorin e sundimit të ligjit. Pjesë e delegacionit ishte edhe këshilltari teknik Blendi Zyrapi.
Fokusi te cilësia e aktakuzave
Diskutimet u përqendruan te veprimtaria e mekanizmit dhe mundësia e mbështetjes nga partnerët britanikë. Mekanizmi është themeluar së fundmi me vendim të Kryeprokurorit të Shtetit.
Detyra e tij është të analizojë cilësinë e aktakuzave të rrëzuara me vendim gjyqësor të formës së prerë, si dhe të atyre që kanë përfunduar me aktgjykime të formës së prerë për lirim ose refuzim. Vlerësimi do të përfshijë rastet me prioritet, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë.
Gashi vlerësoi ekspertizën dhe mbështetjen e partnerëve britanikë, si dhe gatishmërinë e tyre për të kontribuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të Prokurorit të Shtetit.