Gjilan: 29-vjeçari vritet në Pogragjë, babai i dyshuar mbetet në arrati

Gjilan: 29-vjeçari vritet në Pogragjë, babai i dyshuar mbetet në arrati

Një 29-vjeçar u vra në Pogragjë të Gjilanit, ndërsa babai i tij, i dyshuar për rastin, po kërkohet nga policia. Të afërmit thanë se nuk kishin dëgjuar për konflikte të mëparshme. Pas ngjarjeve të fundit, komuna kërkon kontrolle më të shpeshta për armëmbajtje pa leje.

Një 29-vjeçar u vra të dielën në Pogragjë të Gjilanit, ndërsa i dyshuari për rastin, babai i tij 53-vjeçar, ndodhet në kërkim policor. Ngjarja është një nga tri rastet e rënda të vrasjeve brenda familjes që kanë tronditur këtë komunë së fundmi.

Të afërmit e familjes Arifi thanë se nuk kishin dëgjuar për ndonjë konflikt apo problem që mund të shpjegonte ngjarjen. Ata u shprehën të habitur dhe thanë se nuk kishin informacione të tjera për rrethanat e saj.

“Është i afërmi im, kushëri. Kurrë nuk kemi dëgjuar që ka pasur ndonjë problem. As vëllai i tij nuk di të na tregojë nëse ka pasur ndonjë konflikt”, tha familjari Fadil Rexhepi. Ai shtoi se vetura e të dyshuarit ishte gjetur në kufi, në Kukaj, ndërsa vendndodhja e tij nuk dihej.

Hetimet dhe masat e sigurisë

Prokuroria Speciale bëri të ditur se 53-vjeçari dyshohet se, për motive ende të panjohura, e ka privuar nga jeta djalin e tij. Sipas Prokurorisë, asnjëri prej tyre nuk kishte të kaluar kriminale dhe nuk ishte raportuar më parë rast i dhunës në familje.

Policia e Kosovës njoftoi se në shtëpinë ku ndodhi ngjarja janë sekuestruar dy pushkë, një pistoletë, 68 fishekë dhe katër gëzhoja. I dyshuari vazhdon të kërkohet nga policia.

Pas rasteve të fundit, Komuna e Gjilanit mbajti mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Kryetari Alban Hyseni tha se ka kërkuar kontrolle më të shpeshta për armëmbajtje pa leje dhe shtim të pranisë policore në shkolla, me synim garantimin e sigurisë së fëmijëve.