Gjykata cakton një muaj paraburgim për ish-deputetin Gani Geci

Gjykata cakton një muaj paraburgim për ish-deputetin Gani Geci

Gani Geci do të qëndrojë 30 ditë në paraburgim, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Avokati i tij e kundërshtoi masën dhe tha se pret që vendimi të korrigjohet.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar 30 ditë paraburgim për ish-deputetin e LDK-së, Gani Geci, i dyshuar për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.

Masa u vendos pas seancës dëgjimore të mbajtur sot. Avokati i Gecit, Besnik R. Berisha, e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar të panevojshëm dhe në kundërshtim me praktikën e mëparshme gjyqësore.

“Jemi të bindur se masa e paraburgimit është caktuar për shkak të emrit të përveçëm, e jo për shkak të kushteve ligjore”, deklaroi Berisha. Ai tha se mbrojtja e konsideron vendimin ligjërisht të papërshtatshëm dhe shprehu bindjen se ai do të korrigjohet.

Gjykata ka miratuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, e cila do të zgjasë 30 ditë. Berisha tha se, sipas vlerësimit të mbrojtjes, masa nuk është e nevojshme dhe nuk përputhet me mënyrën se si gjykata ka vepruar në raste të mëparshme.