Gjykata Speciale cakton 17 nëntorin 2026 për aktgjykimin ndaj ish-presidentit Thaçi

Gjykata Speciale cakton 17 nëntorin 2026 për aktgjykimin ndaj ish-presidentit Thaçi

Më 17 nëntor 2026 pritet të shpallet në Hagë aktgjykimi në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarve. Prokuroria ka kërkuar dënime me burgim, përfshirë gjashtë vjet për Thaçin.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar 17 nëntorin 2026 për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarve të tij, të cilët akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Seanca publike është planifikuar të nisë në orën 10:00.

Gjykatësi i vetëm ka urdhëruar që Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi të jenë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara në Hagë. Sipas njoftimit të gjykatës, aktgjykimi do të shpallet në seancë publike dhe do të shoqërohet me arsyetim me shkrim.

Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Thaçin. Për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun ka kërkuar nga tre vjet burgim, ndërsa për Hajredin Kuçin ka kërkuar nëntë muaj.

Pretendimet e prokurorisë

Sipas prokurorisë, Thaçi dyshohet se ka ndërmarrë veprime për të ndikuar te dëshmitarët në rastin kryesor, ku ai akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Prokuroria ka pretenduar se veprimet e dyshuara mbështeten nga 28 incizime, të realizuara gjatë nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, brenda një periudhe katërmujore. Këto janë pretendime të prokurorisë në çështjen për pengim të drejtësisë, për të cilën gjykata pritet të shpallë vendimin në nëntor 2026.