Golan e quan gabim strategjik vrasjen e udhëheqësit suprem iranian

Lideri opozitar izraelit Yair Golan tha se vrasja e Ali Khameneit ishte gabim, pasi sipas tij nuk i shërbeu interesave afatgjata të Izraelit. Ai vlerësoi gjithashtu se synimi për rrëzimin e plotë të regjimit iranian është jorealist.
Lideri i Partisë Demokratët në Izrael, Yair Golan, ka deklaruar se vrasja e udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, ishte gabim strategjik dhe nuk i shërbeu interesave afatgjata të Izraelit.
Golan tha se vlerësimi i tij nuk lidhet me faktin nëse Khamenei e meritonte apo jo të vdiste, por me efektin që eliminimi i tij pati për vendin. “Pa asnjë dyshim, mendoj se eliminimi i Khameneit ishte gabim – jo sepse ai nuk e meritonte të vdiste, por sepse kjo nuk u shërben interesave të Izraelit”, u shpreh ai.
Ali Khamenei u vra më 28 shkurt, gjatë sulmeve të para të luftës amerikano-izraelite kundër Iranit. Në të njëjtat sulme u vranë edhe disa zyrtarë të tjerë të lartë iranianë. Pas vdekjes së tij, postin e udhëheqësit suprem e mori i biri, Mojtaba Khamenei.
Sipas Golanit, eliminimi i udhëheqjes së mëparshme iraniane nuk e ka përmirësuar pozitën strategjike të Izraelit. Komentet e tij vijnë në një kohë kur lufta dhe pasojat e saj vazhdojnë të jenë në qendër të debatit politik në vend.
Kritika ndaj objektivave të luftës
Golan komentoi edhe synimet më të gjera ushtarake dhe politike të udhëheqjes izraelite. Ai e cilësoi jorealist objektivin e kryeministrit Benjamin Netanyahu për rrëzimin e plotë të qeverisë dhe regjimit iranian.
Deklaratat e opozitarit pasqyrojnë mospajtim me qasjen e qeverisë ndaj konfliktit dhe me vlerësimin se eliminimi i udhëheqjes iraniane mund të sjellë përfitime strategjike për Izraelin.