Greqia siguron financimin për restaurimin e shtëpisë së Faik Konicës

Shtëpia ku lindi Faik Konica në Konicë të Greqisë do të restaurohet, pasi është njohur si objekt me vlerë historike e kulturore. Ministri Blendi Gonxhe tha se financimi është siguruar dhe punimet pritet të nisin së shpejti. Në takimin me ministren greke Lina Mendoni u diskutuan edhe projekte të tjera kulturore mes dy vendeve.
Shtëpia ku lindi Faik Konica në qytetin e Konicës, në Greqi, pritet t’i nënshtrohet restaurimit, pasi objekti është njohur si pasuri me vlerë historike e kulturore dhe është siguruar financimi për punimet.
Lajmin e bëri të ditur ministri shqiptar i Kulturës, Rinisë dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, pas takimit me ministren greke të Kulturës, Lina Mendoni, në Prespë. Sipas njoftimit të Gonxhes në rrjetet sociale, punimet pritet të nisin së shpejti.
Ministria greke e Kulturës ka konfirmuar statusin e veçantë të banesës, ndërsa financimi për restaurimin është siguruar. Njoftimi vjen pas raportimeve për gjendjen e rënduar të godinës, e cila prej vitesh ka qenë pa përkujdesje, me mure të dëmtuara dhe e mbuluar nga shkurret.
Beqir Potka, njëri nga 17 filantropët shqiptarë që kontribuuan për kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri, kishte kërkuar që shtëpia të restaurohej dhe të shndërrohej në muze. Në një prononcim për Euronews Albania, ai ishte shprehur i gatshëm të ndihmonte financiarisht, së bashku me miqtë e tij dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara.
Takimi mes Gonxhes dhe Mendonit përfshiu edhe çështje të tjera të bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve. Mes tyre ishte kthimi në Shqipëri i dy objekteve arkeologjike nga Butrinti, të sekuestruara në Greqi që nga viti 2002.
Palët diskutuan gjithashtu restaurimin e Kishës së Shën Nikollës në Mesopotam dhe të pasurive të tjera kulturore. Bashkëpunimi parashikon edhe projekte arkeologjike në Finiq, restaurimin e ikonave dhe trajnimin e restauratorëve shqiptarë në Selanik.