Hasani do të ekzekutohet me pushkatim, por pa transmetim publik, njofton Trump

Hasani do të ekzekutohet me pushkatim, por pa transmetim publik, njofton Trump

Donald Trump njoftoi se ekzekutimi i ish-majorit Nidal Malik Hasan do të kryhet me pushkatim, por nuk do të transmetohet drejtpërdrejt. Hasani u dënua për vrasjen e 13 personave në bazën Fort Hood më 2009.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ekzekutimi i Nidal Malik Hasanit, ish-majorit të ushtrisë amerikane të dënuar për vrasjen e 13 personave në bazën Fort Hood, nuk do të transmetohet drejtpërdrejt. Hasani do të ekzekutohet me pushkatim, sipas planifikimit, bëri të ditur Trumpi në një reagim në rrjetin Truth Social.

Sulmi në Fort Hood ndodhi në vitin 2009. Sipas Trumpit, 13 persona u vranë, përfshirë një ushtare shtatzënë, e cila humbi jetën bashkë me djalin e saj të palindur. Në të njëjtin sulm, 32 persona të tjerë u plagosën rëndë.

Trumpi e quajti Hasanin “tradhtar” dhe “njeri shumë të keq”. Ai argumentoi se transmetimi i ekzekutimit mund të kishte efekt parandalues, duke treguar mënyrën se si Shtetet e Bashkuara veprojnë ndaj personave që i cilësoi si terroristë.

Megjithatë, presidenti tha se shumë njerëz do të preferonin të mos e shihnin ekzekutimin, qoftë përmes transmetimit apo mjeteve të tjera pamore. Familjarët e afërt të viktimave do të mund ta ndjekin ekzekutimin nga afër, nëse dëshirojnë, shtoi ai, duke thënë se ata meritojnë të dëshmojnë drejtësinë.

Kritika ndaj trajtimit të rastit nga FBI-ja

Në reagimin e tij, Trumpi kritikoi edhe administratën e ish-presidentit Barack Obama për mënyrën se si FBI-ja trajtoi komunikimet e Hasanit me klerikun radikal Anwar al-Awlaki. Hasani kishte shkëmbyer mesazhe elektronike me të para sulmit.

Sipas Trumpit, hetuesit e FBI-së kishin vlerësuar se emailet nuk përbënin kërcënim. Ky vlerësim, tha ai, u konsiderua më vonë si një dështim i rëndësishëm i inteligjencës amerikane.