Hetim disiplinor ndaj pesë policëve pas pamjeve pranë Parlamentit shqiptar

Hetim disiplinor ndaj pesë policëve pas pamjeve pranë Parlamentit shqiptar

Pesë zyrtarë të Policisë së Shqipërisë janë pezulluar pas publikimit të pamjeve me një protestues 19-vjeçar të lënduar pranë Parlamentit. Ndaj tyre ka nisur hetim disiplinor, ndërsa autoritetet raportojnë se personat e trajtuar në spital janë jashtë rrezikut për jetën.

Pesë zyrtarë të Policisë së Shqipërisë janë pezulluar nga detyra pas publikimit të një videoje ku shihet një protestues 19-vjeçar i lënduar në këmbë, teksa shoqërohet nga policët pranë Parlamentit. Sipas policisë, i riu po dërgohej në spital për të marrë ndihmë mjekësore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e katër punonjësve policorë dhe të shefit të Rendit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, nënkomisar F. K. Ndaj tyre ka nisur menjëherë hetimi disiplinor.

Policia ka ngritur gjithashtu një grup të posaçëm nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale. Grupi do të shqyrtojë veprimet e punonjësve nga fillimi deri në përfundim të protestës, si dhe nëse janë zbatuar procedurat standarde të punës.

Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit tha se po verifikon rrethanat e rastit dhe mënyrën si është trajtuar i riu. Institucioni bëri të ditur se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi.

Policia u bëri thirrje personave të maskuar dhe atyre që po sulmojnë institucionet që t’i ndalin veprimet. Ajo dënoi dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës në kryeqytet, duke theksuar se akte të tilla nuk përbëjnë ushtrim paqësor të së drejtës për protestë.

Të lënduarit në spital

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njoftoi se në Spitalin Universitar të Traumës po trajtoheshin një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Të gjithë ishin jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të njëjtit njoftim, pas marrjes së ndihmës mjekësore nga Trauma janë larguar gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë. Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë marrë trajtim dhe janë larguar një diplomat i huaj, një përfaqësues i medias dhe gjashtë protestues.