Hetim federal për dokumente imigracioni: kontrollohet banesa e Ilhan Omarit

Agjentët federalë kontrolluan banesën e kongresmenes demokrate Ilhan Omar në Washington, me urdhër të autorizuar nga gjykata. Kontrolli lidhet, sipas mediave amerikane, me hetim për mashtrim rreth dokumenteve të imigracionit. Omar e quajti veprimin pjesë të asaj që përshkroi si fushatë frikësimi.
Agjentë federalë amerikanë kontrolluan të hënën banesën e kongresmenes demokrate Ilhan Omar në Washington, në kuadër të një hetimi federal në vazhdim. Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së konfirmoi se autoritetet zbatuan një urdhër kontrolli të autorizuar nga gjykata.
Zyrtarë të Homeland Security Investigations (HSI), njësisë hetimore të autoriteteve amerikane të imigracionit, u panë jashtë banesës së Omarit në orët e para të mëngjesit. Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë i tha agjencisë Reuters se urdhri ishte siguruar nga ky departament.
“Ky veprim i zbatimit të ligjit është pjesë e një hetimi federal në vazhdim”, thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.
Reagimet pas kontrollit
Omar, e cila përfaqëson një distrikt në Minesota dhe njihet si një nga kritiket e zëshme të presidentit Donald Trump, tha se nuk do të heshtë përballë veprimit. Ajo e përshkroi kontrollin si përshkallëzimin e fundit të asaj që e cilëson fushatë frikësimi ndaj saj nga Trumpi.
Udhëheqësit demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve e dënuan operacionin, duke e quajtur “shpërdorim të pushtetit” nga administrata Trump.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, kontrolli lidhet me një hetim penal për mashtrim rreth dokumenteve të imigracionit të dorëzuara në emër të Omarit nga babai i saj i ndjerë, kur ajo ishte fëmijë. Deri tani nuk janë bërë të ditura akuza ndaj kongresmenes lidhur me kontrollin.
Omar erdhi në Shtetet e Bashkuara nga Somalia kur ishte fëmijë dhe u zgjodh për herë të parë në Kongres më 2018. Ajo është pjesë e grupit të ligjvënësve demokratë të njohur si “The Squad”, të cilët kanë qenë ndër kundërshtarët më të zëshëm të Trumpit.
Kontrolli u zhvillua rreth tri javë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Në këto zgjedhje, republikanët e Trumpit synojnë të mbrojnë shumicat e tyre të ngushta në Kongres.