Hetimet për vdekjen e punëtorit në Ferizaj, policia ndalon një 31-vjeçar

Një punëtor 54-vjeçar humbi jetën në një objekt ndërtimor në Ferizaj, pasi dyshohet se u rrëzua në bodrum. Policia ka ndaluar për 48 orë një 31-vjeçar, ndërsa në rast janë përfshirë edhe hetuesit, inspektorët e punës dhe prokurori.
Një punëtor 54-vjeçar ka vdekur të martën në Ferizaj, ndërsa një 31-vjeçar është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për rrezikim të sigurisë në vendin e punës. Ngjarja ndodhi në një objekt ku po zhvilloheshin punime ndërtimore.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima dyshohet se u rrëzua nga kati përdhes në bodrumin e objektit. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, konfirmoi se viktima ishte M.M., 54 vjeç, ndërsa i dyshuari është B.T., 31 vjeç.
I dyshuari u ndalua nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, bëri të ditur Veseli.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:40 në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj. Në vendin e ngjarjes dolën ekipet e Policisë dhe të Emergjencës, të cilat konstatuan vdekjen e punëtorit.
Në vendngjarje u paraqitën edhe hetuesit rajonalë. Për rastin u njoftuan inspektorët e punës dhe prokurori i shtetit, ndërsa hetimet po vazhdojnë.