Ibishi: Prania e NATO-s dhe kapacitetet vendore janë faktorë mbrojtës

Ibishi: Prania e NATO-s dhe kapacitetet vendore janë faktorë mbrojtës

Ish-zëvendësministri Ismet Ibishi thotë se nuk pret luftë serioze në Kosovë, duke përmendur praninë e NATO-s dhe gatishmërinë e institucioneve të sigurisë. Ai komentoi edhe deklaratën e Ivica Daçiqit për flamurin serb në Prizren.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Ismet Ibishi, tha se nuk e sheh të mundshme shpërthimin e një lufte serioze në Kosovë. Ai vlerësoi se prania e NATO-s dhe gatishmëria e institucioneve të sigurisë janë faktorë të rëndësishëm për përballimin e situatave të mundshme.

Deklaratat e tij në emisionin “FIVE” në Dukagjin vijnë pas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca. Në një intervistë për Hungary Insider, Konjufca kishte thënë se ambiciet territoriale të Serbisë përbëjnë kërcënim për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.

Ibishi tha se Serbia mbetet burim shqetësimi, por theksoi rolin e forcave të NATO-s në Kosovë dhe kapacitetet e institucioneve vendore. Sipas tij, organet e sigurisë janë të përgatitura dhe të stërvitura për t’u përgjigjur në rast të një konflikti të përmasave të kufizuara.

Referimi te sulmi në Banjskë

Duke folur për sulmin në Banjskë, Ibishi tha se edhe atëherë, kur sipas tij kishte tendenca për një konflikt serioz dhe për marrjen e veriut të Kosovës, institucionet ishin të gatshme të reagonin. Ai përsëriti se aktualisht nuk sheh rrezik potencial për një luftë serioze.

Ish-zëvendësministri shtoi se institucionet e rendit marrin masa shtesë të sigurisë gjatë zgjedhjeve dhe ngjarjeve të rëndësishme, kur mund të shfaqen tendenca për incidente.

Ibishi komentoi edhe deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiq, se flamuri serb do të valojë në Prizren. Ai e cilësoi atë si retorikë politike që, sipas tij, lidhet me mbledhjen e votave para zgjedhjeve në Serbi.

“Një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrë”, u shpreh Ibishi për pretendimin e Daçiqit.