Inspektorati gjeti gjendje të rëndë me mbeturina në kryeqytet, Pacolli kërkon llogari

Gjobiten institucionet përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë, njofton ministrja Fitore Pacolli. Ajo thotë se inspektorati konstatoi gjendje të rëndë dhe kërkon llogari nga Komuna dhe ndërmarrja publike.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se janë gjobitur institucionet përgjegjëse për menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë. Sipas saj, inspektorati i ministrisë ka kryer inspektim në kryeqytet dhe ka konstatuar gjendje të rëndë, që mund të rrezikojë shëndetin e qytetarëve.
Pacolli e ka cilësuar menaxhimin e mbeturinave si një nga detyrat themelore të qeverisjes lokale. Ajo ka kritikuar mënyrën se si, sipas saj, përgjegjësia po bartet mes Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjes publike.
“Menaxhimi i mbeturinave është detyrimi më bazik që një qeverisje lokale duhet ta zgjidhë. Hedhja e fajit ping-pong mes Komunës dhe ndërmarrjes publike është thjesht një tentativë për të fshehur paaftësinë”, ka shkruar ministrja.
Ajo ka kritikuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, si dhe zinxhirin menaxhues të komunës, duke kërkuar që përgjegjësit të japin llogari për situatën.
“Neglizhenca nuk mund të normalizohet. Kushdo që nuk i kryen detyrat dhe i lë qytetarët të përballen me këtë rrezik, duhet të mbajë përgjegjësi të plotë, pa pasur mundësi t’i shmanget asaj duke e pasuar fajin te tjetri”, ka deklaruar Pacolli.
Ministrja ka thënë se ligji do të zbatohet ndaj atyre që kanë dështuar në përmbushjen e detyrave. Ajo ka përsëritur se institucionet përgjegjëse duhet të mbajnë përgjegjësi për gjendjen e mbeturinave në kryeqytet.