Investimi për rrugët kufitare në Kamenicë ndahet në tri lote

Investimi për rrugët kufitare në Kamenicë ndahet në tri lote

Rreth 4.8 milionë euro po investohen për ndërtimin e 15.04 kilometrave rrugë në brezin kufitar të Kamenicës. Projekti, i ndarë në tri lote, synon të përmirësojë lidhjet mes fshatrave dhe qarkullimin në zonë.

Ndërtimi i rrugëve përgjatë brezit kufitar në Komunën e Kamenicës po vazhdon, me një investim të përgjithshëm prej rreth 4.8 milionë eurosh, njoftoi ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha.

Projekti po realizohet në bashkëpunim mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komunës së Kamenicës. Sipas Bashës, punimet janë ndarë në tri lote dhe përfshijnë gjithsej 15.04 kilometra rrugë.

Njëri prej segmenteve është Loti 3, në rrugën Shahiq–Sfircë. Ky lot përfshin 6.86 kilometra dhe ka investim mbi 2.1 milionë euro.

Basha bëri të ditur për projektin përmes një postimi në Facebook. Ai tha se synimi është përmirësimi i lidhjeve ndërmjet fshatrave dhe lehtësimi i qarkullimit për banorët e zonës.

Sipas ministrit, rrugët do të ndihmojnë gjithashtu qasjen dhe mobilitetin institucional në zonën kufitare. Ai e lidhi investimin edhe me sigurinë e territorit të Kosovës.

“Investimi në brezin kufitar është investim në zhvillim, prani institucionale dhe siguri të vendit”, deklaroi Basha.