Ish-presidentja Osmani falënderon KFOR-in në ndërrimin e komandës

Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it. Ish-presidentja falënderoi zyrtarët e NATO-s për angazhimin dhe tha se prania e Aleancës mbetet e rëndësishme për paqen dhe sigurinë në Kosovë.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se prania e NATO-s është thelbësore për paqen dhe sigurinë në vend. Deklaratën e bëri në një postim në Facebook, ku kujtoi mbështetjen e Aleancës për popullin e Kosovës në periudhat më të vështira.
“NATO ishte me popullin tonë në orët më të rënda të historisë dhe mbetet garant i paqes dhe sigurisë në vendin tonë”, shkroi Osmani.
Ajo bëri të ditur se mori pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it. Me këtë rast, Osmani falënderoi admiralin e NATO-s, George Wikoff, për angazhimin e ushtarakëve të Aleancës.
Ish-presidentja shprehu gjithashtu mirënjohje për komandantin e deritanishëm të KFOR-it, gjeneralmajorin Ulutaş, për shërbimin dhe përkushtimin e tij. Komandantit të ri, gjeneralmajorit Vergori, i uroi sukses në përmbushjen e misionit.
Në përfundim të postimit, Osmani përsëriti vlerësimin se Kosova është më e sigurt kur NATO qëndron pranë saj.