Iva Mihaillova kërkohet nga autoritetet pas rastit gjyqësor në Koçan

Iva Mihaillova kërkohet nga autoritetet pas rastit gjyqësor në Koçan

Maqedonia e Veriut ka shpallur fletarrest qendror dhe ndërkombëtar për Iva Mihaillovën, e akuzuar në një proces që lidhet me aksidentin fatal në Koçan. Ajo tha se është kthyer në Bullgari për arsye shëndetësore, ndërsa Shkupi ka kërkuar shpjegime nga ambasadori bullgar për pritjen e saj.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë shpallur fletarrest qendror dhe ndërkombëtar për Iva Mihaillovën, 23-vjeçare nga Koçani. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, masa është ndërmarrë pas kërkesës së Gjykatës Themelore të Koçanit.

Në njoftimin e MPB-së thuhet se Mihaillova kërkohet për vepra penale të përcaktuara në nenin 300, paragrafi 4, dhe nenin 297, paragrafi 3, të Kodit Penal. Autoritetet kanë publikuar edhe të dhënat e saj familjare dhe vendlindjen.

Mihaillova është e akuzuar në një proces gjyqësor që lidhet me një aksident trafiku me pasoja fatale në Koçan. Lajmi për shpalljen e fletarrestit vjen pasi televizioni bullgar BTV raportoi se ajo kishte kaluar kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e shoqëruar nga avokati i saj bullgar, Nikolaj Dimitrov.

Në një deklaratë për BTV-në, Mihaillova tha se ishte kthyer në Bullgari për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë deklaroi se nuk ishte informuar paraprakisht për rastin dhe mohoi të kishte marrë pjesë në organizimin e kthimit të saj.

Disa media raportuan se Mihaillova ishte pritur me nderime në Bullgari. Pas këtyre raportimeve, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ftoi ambasadorin bullgar për bisedë zyrtare, për t’i kërkuar shpjegime lidhur me pritjen e saj.