Jauslin kërkon ushtri më të vogël dhe investime në teknologji ushtarake

Jauslin kërkon ushtri më të vogël dhe investime në teknologji ushtarake

Zvicra mund të kërkojë bashkëpunim ajror më të ngushtë me Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Austrinë. Partia Liberale e Gjelbër propozon që avionët luftarakë të operojnë përtej kufijve dhe kërkon më shumë investime në dronë e teknologji ushtarake.

Partia Liberale e Gjelbër e Zvicrës (PVL/GLP) po kërkon krijimin e një aleance alpine me Gjermaninë, Francën, Italinë dhe Austrinë, që do t’u mundësonte avionëve luftarakë të operonin përtej kufijve shtetërorë. Propozimi synon të forcojë bashkëpunimin ushtarak mes pesë vendeve, ndërsa këshilltari kombëtar Matthias Jauslin ka ngritur shqetësime për gatishmërinë e Evropës Perëndimore për konfliktet moderne.

Jauslin paralajmëron se vendet e rajonit janë të papërgatitura për një luftë ku dronët luajnë rol qendror. Sipas propozimit të PVL-së, avionët e shteteve pjesëmarrëse do të mund të ndiqnin kërcënimet ajrore përtej kufijve, pa u ndalur nga vijat shtetërore.

Pesë vendet pritet të kenë gjithsej 180 avionë luftarakë F-35. Italia do të ketë 109, Gjermania 35 dhe Zvicra 30 avionë të këtij modeli. Jauslin e ka mbështetur idenë e lëvizjes më të lirë ajrore me argumentin se mbrojtja duhet t’u përgjigjet kërcënimeve moderne, në vend që të mbështetet vetëm në pritjen e kundërshtarit në kufi.

Më pak ushtarë, më shumë teknologji

Jauslin propozon që numri i pjesëtarëve të ushtrisë zvicerane të ulet nga 147 mijë në 80 mijë, ndërsa investimet të orientohen drejt sistemeve inteligjente. Ai thotë se debatet për pajisjet tradicionale nuk pasqyrojnë mjaftueshëm faktin se kërcënimet vijnë gjithnjë e më shumë nga ajri dhe hapësira kibernetike.

PVL kërkon gjithashtu që Zvicra të marrë pjesë në programet evropiane për zhvillimin e dronëve autonomë dhe sistemeve luftarake të mbështetura nga inteligjenca artificiale. Ndërkohë, ArmaSuisse dhe Departamenti Federal i Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit po bashkëpunojnë me Qendrën Zvicerane për Drone dhe Robotikë. Zvicra po zhvillon edhe bisedime me NATO-n dhe vendet fqinje për krijimin e një pamjeje të përbashkët të hapësirës ajrore ndërkufitare.

Partia thotë se neutraliteti nuk pengohet

PVL argumenton se koordinimi ushtarak me shtetet fqinje nuk do ta cenonte neutralitetin e Zvicrës. Në vitin 2022, Viola Amherd, në atë kohë në krye të departamentit të mbrojtjes, kishte thënë se vendi po shqyrtonte mënyra për të përmirësuar bashkëpunimin me NATO-n, me kusht që të respektohej neutraliteti.

Po atë vit, një studim i Avenir Suisse mbështeti pjesëmarrjen e Zvicrës në stërvitjet ajrore të NATO-s, me qëllim shfrytëzimin e plotë të potencialit të avionëve F-35A, pa anëtarësim në Aleancë. Ide të ngjashme për bashkëpunim ishin ngritur edhe pas sulmit rus ndaj Ukrainës, por nuk janë zbatuar deri më tani.