Këngëtari dënon dhunën ndaj protestuesve dhe kërkon të dëgjohen studentët

Yll Limani doli në mbështetje të studentëve që protestojnë në Tiranë dhe dënoi dhunën ndaj tyre. Këngëtari kërkoi që institucionet t’i dëgjojnë të rinjtë dhe që qytetarët të ndihen të sigurt pranë Policisë.
Yll Limani ka shprehur mbështetjen për studentët që po protestojnë në Tiranë, duke dënuar dhunën ndaj tyre dhe u bërë thirrje institucioneve t’i dëgjojnë kërkesat e të rinjve.
Këngëtari reagoi përmes disa postimeve në Instagram, ku tha se pamjet nga kryeqyteti shqiptar e kishin shqetësuar. “Është tmerr me i pa pamjet prej Tiranës. Të rinjë që sulmohen prej atyre që duhet me i mbrojt”, shkroi ai, duke përmbledhur qëndrimin e tij me fjalët: “Unë jom me studentët”.
Limani theksoi se pakënaqësitë e studentëve duhet të merren seriozisht dhe se është e nevojshme të kuptohet çfarë i ka nxitur të dalin në protestë dhe çfarë kërkojnë. Sipas tij, institucionet duhet t’u kushtojnë vëmendje arsyeve që qëndrojnë pas mobilizimit të tyre.
“Zëri i tyre duhet të ketë peshë që sot”
Artisti tha se të rinjtë nuk duhet të trajtohen vetëm si e ardhmja e vendit, por duhet të kenë mundësi të ndikojnë në vendimet që i prekin edhe në të tashmen. “Nuk mjafton me ju thanë ‘ju jeni e ardhmja’, nëse kur flasin, s’ka kush i dëgjon”, shkroi ai.
Ai kërkoi që studentët të merren seriozisht dhe të krijohen kushte që ata ta ndërtojnë të ardhmen në vendin ku jetojnë, pa e humbur besimin se kjo është e mundur.
Në reagimin e tij, Limani iu drejtua edhe Policisë, duke rikujtuar përgjegjësinë që, sipas tij, bart uniforma dhe nevojën që qytetarët të ndihen më të sigurt kur shohin policinë. “Uniforma osht përgjegjësi. Qytetari duhet me u ni ma i sigurt kur e sheh policinë”, shkroi këngëtari.
Ai shtoi se pas çdo protestuesi është një person me ëndrra e shqetësime, si dhe një familje që pret kthimin e tij në shtëpi, ndaj kërkoi përgjegjësi dhe kujdes gjatë menaxhimit të protestave.