KFOR-i forcon gatishmërinë e njësive të dislokuara në perëndim të Kosovës

Mbështetja logjistike e KFOR-it për njësitë në rajonin perëndimor përfshin mirëmbajtjen e automjeteve dhe pajisjeve, furnizimin me karburant dhe transportin. Aktivitetet po zhvillohen nga kampi “Villaggio Italia” në Pejë.
Nga kampi “Villaggio Italia” në Pejë, Batalioni Mbështetës i Komandës Rajonale-Perëndim të KFOR-it po zhvillon aktivitete logjistike për njësitë e dislokuara në rajon.
Angazhimet përfshijnë mirëmbajtjen e pajisjeve dhe automjeteve, furnizimin me karburant, si dhe lëvizjen e transportin e mjeteve dhe pajisjeve. Sipas njoftimit të KFOR-it, këto veprime synojnë të ruajnë gatishmërinë e personelit dhe aftësinë për të zhvilluar operacione në rajon.
KFOR-i bën të ditur se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të miratuar më 1999. Misioni synon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes.
Misioni i NATO-s thekson se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Secili institucion vepron brenda përgjegjësive të veta në fushën e sigurisë.