Konferenca Shqipëri–BE në Luksemburg, në fokus kapitulli për politikat industriale

Konferenca Shqipëri–BE në Luksemburg, në fokus kapitulli për politikat industriale

Shqipëria pritet të mbyllë përkohësisht kapitullin 20 të negociatave me Bashkimin Evropian. Konferenca ndërqeveritare në Luksemburg do të trajtojë politikat për ndërmarrjet dhe industrinë; me këtë hap, kapitujt e mbyllur përkohësisht do të bëhen katër.

Shqipëria pritet të mbyllë përkohësisht kapitullin 20 të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që përfshin ndërmarrjet dhe politikat industriale. Formalizimi është në agjendën e konferencës së 10-të ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila zhvillohet sot në Luksemburg.

Me përmbylljen e këtij kapitulli, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht nga Shqipëria do të arrinte në katër. Ky zhvillim shënon një tjetër etapë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Kapitulli 20 përfshin fusha si zhvillimi i sipërmarrjes, mbështetja e bizneseve, politikat industriale, inovacioni dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Agjenda e konferencës

Sipas programit, delegacioni niset drejt Qendrës Europiane të Konventave në orën 16:40. Dhjetë minuta më vonë parashihet fotografia e përbashkët e kryeministrit Edi Rama, komisioneres për zgjerim Marta Kos dhe ministrit irlandez Thomas Byrne.

Hapja e konferencës ndërqeveritare dhe miratimi i agjendës janë planifikuar për në orën 17:00. Në orën 17:45 parashihet përfundimi i konferencës, pas së cilës do të vijojë një konferencë për shtyp me Ramën, Kos dhe Byrne.

Shqipëria synon përmbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027. Mbyllja e përkohshme e kapitujve është pjesë e procesit të shqyrtimit dhe përparimit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.