Kosova dhe Jordania shqyrtojnë projekte për edukim gjithëpërfshirës

Bashkëpunimi Kosovë–Jordani ishte në fokus të takimit të Elvana Shalës me Princeshën Basma Bint Ali në Romë. Në bisedë u shqyrtuan projekte për edukim gjithëpërfshirës dhe përfshirje sociale, si dhe mundësia e vizitave të ardhshme të princeshës në Kosovë.
Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC, Elvana Shala, është takuar në Romë me Princeshën e Jordanisë, Basma Bint Ali, për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Jordanisë.
Basma Bint Ali shërben si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO). Gjatë takimit, Shala e njoftoi për punën dhe angazhimin e saj, duke vënë theksin te krijimi i mundësive të barabarta për grupet e margjinalizuara.
Në bisedë u trajtuan pengesat me të cilat përballen këto kategori në qasjen ndaj edukimit dhe zhvillimit shoqëror. Palët diskutuan edhe mundësinë e hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Fushat e përmendura përfshijnë edukimin gjithëpërfshirës, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për personat që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Sipas njoftimit, princesha shprehu interesim për këto iniciativa dhe për mundësinë e investimit në projekte që synojnë përmirësimin e qasjes në edukim dhe avancimin e përfshirjes sociale.
Shala vlerësoi pritjen dhe gatishmërinë e shprehur nga princesha. Ajo theksoi se bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të shndërrohet në iniciativa konkrete që sjellin ndryshime pozitive, veçanërisht për njerëzit që kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe mundësi.
Gjatë bisedimeve u shpreh vullneti për të avancuar shkëmbimet ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë. Mes mundësive të diskutuara janë edhe vizitat e ardhshme të Princeshës Basma Bint Ali në Kosovë, të cilat do të shërbenin për njohjen më të afërt me realitetin, potencialin dhe nevojat sociale të vendit, si dhe për identifikimin e projekteve të përbashkëta.