Kosova dhe Polonia shqyrtojnë mundësitë për bashkëprodhim në industrinë e mbrojtjes

Kosova dhe Polonia shqyrtuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje, përfshirë bashkëprodhimin në industrinë e kësaj fushe. Bisedimet u zhvilluan mes ministrit Ejup Maqedonci dhe homologut të tij polak, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Kosova dhe Polonia kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përfshirë mundësitë e bashkëprodhimit në industrinë e mbrojtjes. Çështjet u trajtuan në takimin e ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, me zëvendëskryeministrin dhe ministrin polak të Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, në takim u diskutuan zhvillimet e sigurisë në nivel global dhe evropian, si dhe mundësitë për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.
Maqedonci e informoi homologun polak për situatën e sigurisë në Kosovë dhe përparimin në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
Një pjesë e veçantë e bisedimeve iu kushtua industrisë së mbrojtjes. Palët shqyrtuan mundësitë për bashkëprodhim, të cilin ministria e cilësoi si fushë me potencial për zgjerimin e partneritetit mes dy vendeve.
Në njoftim thuhet se Kosova dhe Polonia vijojnë bashkëpunimin për çështje me interes të përbashkët në siguri dhe mbrojtje, me synimin për ta avancuar më tej partneritetin dypalësh.