Kosova drejt marrëveshjeve që njohin kontributet pensionale në Austri dhe Turqi

Kosova drejt marrëveshjeve që njohin kontributet pensionale në Austri dhe Turqi

Qeveria e Kosovës ka miratuar hapat për marrëveshjet e sigurimeve sociale me Austrinë dhe Turqinë. Synimi është që periudhat e punës dhe kontributet e paguara në të dyja vendet të merren parasysh për të drejtat pensionale e sociale.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet që mundësojnë vazhdimin e procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve të sigurimeve sociale me Austrinë dhe Turqinë. Marrëveshjet synojnë që periudhat e punës dhe kontributet e paguara në të dyja shtetet të merren parasysh në realizimin e të drejtave pensionale dhe sociale.

Në mbledhjen e së mërkurës, kabineti qeveritar miratoi kërkesën drejtuar presidentes për autorizimin e ministrit përgjegjës për punë që të nënshkruajë marrëveshjen me Austrinë. Vendimi për marrëveshjen me Turqinë u miratua unanimisht.

Kryeministri Albin Kurti tha se marrëveshja me Turqinë synon të mbrojë të drejtat e qytetarëve që jetojnë dhe punojnë në të dyja vendet. Sipas tij, koordinimi i skemave të sigurimeve sociale dhe bashkimi i periudhave të sigurimit do të ndihmojnë që kontributet e paguara në secilin shtet të njihen gjatë përcaktimit të të drejtave.

Kurti theksoi se qytetarët që kanë punuar dhe kontribuar në të dyja shtetet duhet t’i gëzojnë të drejtat e fituara, pavarësisht se ku vendosin të jetojnë. Ai tha se lëvizja nga njëri vend në tjetrin nuk duhet t’ua cenojë sigurinë sociale.

Edhe projektligje dhe vendime të tjera

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria miratoi Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme. U miratua edhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë, i propozuar nga ministria përkatëse.

Kabineti miratoi gjithashtu Draftin e Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për periudhën 2026–2028 dhe propozimin për mbështetje financiare për Këshillin Kombëtar Shqiptar. Në mesin e vendimeve ishte edhe shitja e nëntë automjeteve zyrtare të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat janë jashtë funksionit.

Po ashtu, u miratua kërkesa e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve për Ndërmarrjen Shoqërore “Komogllava”. Qeveria vendosi edhe të ndryshojë dhe plotësojë vendimin e 25 shkurtit 2022 për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, me synim harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian.